Komisariati Dixhital dhe E-Gate, projektet inovative në 2015 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/10/2014

Komisariati Dixhital dhe E-Gate, projektet inovative në 2015

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri prezantoi disa nga projektet inovative të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit, që iu ofrojnë jo vetëm ndihmë dhe një shërbim cilësor qytetarëve, por synojnë gjithashtu të minimizojnë shkallën e korrupsionit. Dy projektet do të nisin zbatimin nga janari i vitit 2015. Ato janë “Komisariati dixhital”, ku përmes një automati ofrohet shërbimi i deritanishëm i një sporteli policor, si edhe E-Gate, që është kontrolli brenda 20 sekondash përmes fotografimit dhe krahasimit të të dhënave me bazën e të dhënave në pikën kufitare. Projektet u prezantuan në konferencën ““Letërnjoftimi, Siguria juaj për Shërbimet Elektronike”.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në konferencë:

Dua ta filloj, në përpjekjen time për të mos përsëritur atë që u tha më parë nga parafolësit dhe aspak për protokoll, të falënderoj partnerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe Aleat, për asistencën dhe bashkëpunimin gjatë këtij një viti, për të ndërtuar ura bashkëpunimi efektiv, për t’u dhënë jetë dokumenteve të identifikimit dhe projekteve që kemi në vazhdim.

Sigurisht Ministren Harito për koordinimin e të gjitha projekteve dhe pa asnjë dyshim Kryeministrin për shtytjen drejt modernizimit dhe inovacionit lidhur me shërbimet që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u jep qytetarëve.

Dhe natyrisht të falënderoj ekipin e Drejtorisë së Teknologjisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit për punën pa orar, por me rezultat.

Në vizionin tonë siguria nuk është vetëm masa represive.

Policimi nuk është vetëm masa represive.

Në vizionin tonë, siguria mbi të gjitha është modernizim, është inovacion, është teknologji. Dhe gjithashtu, në vizionin tonë siguria nuk është dhe nuk duhet të jetë, siç është keqkonceptuar deri më sot, monopol i Policisë së Shtetit, por përkundrazi është një  sipërmarrje e përbashkët e qytetarëve, e komunitetit të biznesit, e shoqërisë civile dhe sigurisht institucioneve publike, Policia e Shtetit ndër më të parat.

Ne mendojmë që duhet të ndërtojmë besimin ndërmjet qytetarëve, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve në tërësi. Ta ndërtojmë këtë besim duke shkëmbyer me njëri tjetrin; duke shkëmbyer informacion, dhe mbi të gjitha duke shkëmbyer shërbime; duke luftuar abuzimin nga njëra anë dhe korrupsionin si plagë e vazhdueshme nga ana tjetër.

Shërbimet cilësore nëpërmjet inovacionit teknologjik, shkojnë pikërisht në këtë këtë drejtim, ulin abuzimin, ulin mundësinë për të korruptuar, rrisin efektivitetin e administratës, kursejnë kohën e qytetarit dhe biznesit, rrisin aksesin e qytetarëve, veçanërisht në shërbimet që ofron Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, që do të thotë në analizë të fundit, rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe konkretisht tek Policia e shtetit.

Që do të thotë më shumë besim, më shumë bashkëveprim, më shumë partneritet, më shumë kapacitet për të dhënë shërbime cilësore, që do të thotë, në analizë të fundit, më shumë siguri për qytetarët dhe për biznesin.

Në qershor të vitit 2014, së bashku me Michael dhe partnerët e Aleat, prezantuam elementin e dytë biometrik të pasaportës që është “face recognition – njohja e fytyrës”.

Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementët biometrikë do të jenë në fuqi, që do të thotë, qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurt, në Europë, patjetër, por edhe në botë.

E po kështu që nga janari 2015 qytetarët shqiptarë do të kenë në dorë kartat e reja të identitetit, të cilat kanë elementë të shtuar sigurie me prekje dhe reliev, kontroll të avancuar me të dhënat biometrike të ruajtura në chip, si dhe chip të aktivizuar për shërbimet elektronike, që do të thotë mundësi për të marrë shërbime në mënyrë elektronike nga vetë qytetari, pa pasur nevojë për prezencën e punonjësit autorizues, që në Policinë e Shtetit mund të jetë vetëm punonjësi i Policisë së Shtetit.

Këto dokumente me elementë të shtuar të sigurisë, dokumente biometrikë, dhe pasaporta edhe karta e identitetit, garantojnë siguri maksimale nëpërmjet elementëve të sigurisë që sot janë dhe që nga janari i vitit tjetër, 2015, do jenë efektivë në çdo dokument që do marrin qytetarët në dorë. Që është prekja me reliev për kartën e identitetit; gjurmët e gishtave dhe verifikimi i fytyrës ose “face recognition”.

Nga ana tjetër, nëpërmjet sigurisë ose elementëve të sigurisë, në këto dokumente, garantojnë dorëzimin e shërbimeve cilësore për qytetarët shqiptarë. Me chip-in e sigurt dhe të aktivizuar për shërbimet elektronike, pagesat elektronike dhe mbi të gjitha gjurmimin e transaksioneve. Që nga njëra anë ka të bëjë me shërbimin cilësor ndaj qytetarit, por nga ana tjetër ka të bëjë me një dimension shumë të rëndësishëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dhe kuptohet, e thanë edhe parafolësit, identifikimin dhe shërbimin pa nevojën e një punonjësi autorizues.

Të dy këto dokumente në janar të vitit 2015 do jenë në dorë të qytetarëve shqiptarë për akses në shërbime cilësore dhe për më shumë siguri, për qytetarët shqiptarë, për sipërmarrësit, për shtetin dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Mbas nuk është e nevojshme ta përsëris unë, ju të gjithë e dini, dhimbjen e kokës me radhët e gjata, në çdo sportel ku mund të merret shërbim për qytetarët, kohën e humbur, sorollatje nga zyra në zyrë, zgjatje e paarsyeshme afatesh, shërbim jocilësor që kjo varet shpeshherë nga jostandardizimi i shërbimit dhe i punonjësve që japin shërbimin, dhe pa asnjë dyshim, abuzim dhe korrupsion.

Ne kemi filluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit duke ndërtuar pranë çdo drejtorie policie e komisariati, zyrat e shërbimit unik ose ato që quhen “one stop shop” për shërbimet policore. Duke përmbledhur mbi 70 shërbimet që jep Policia e Shtetit në një zyrë unike, me një operator, duke i dhënë mundësinë operatorit në front-desk të japë shërbimet që kërkon qytetari brenda afateve të përcaktuara,  me një sistem kompjuterik, i cili nuk të lejon as të zgjasësh afatin në mënyrë të paarsyeshme, as të sorollatesh zyrë për zyrë, por mbi të gjitha duke shkëputur kontaktin e qytetarit me punonjësin e drejtpërdrejtë, që duhet të japë këtë shërbim por duke  e ndaluar deri në momentin e aplikimit, për të  shmangur çdo lloj abuzimi dhe për të shmangur çdo lloj mundësie potenciale për të korruptuar punonjësin që duhet të japë shërbimin. Por kjo është vetëm një gjë: Eshtë për këtë arsye, që duke filluar, me shumë shpresë, që nga janari, ne të kemi Komisariatin Dixhital, që nuk është një punonjës policie, nuk është një zyrë, nuk është një sportel – është ky objekti këtu!

Komisariati dixhital është një automat, i cili i lejon qytetarit të identifikohet ose nëpërmjet gjurmës së gishtit, ose nëpërmjet kartës së identitetit, ose nëpërmjet PIN–it personal. Duke ofruar të njëjtat shërbime që ofron sot një operator, që ofron sot një zyrë, një sportel dhe pastaj një sistem i tërë mekanizmash, njerëzish dhe zyrash, mekanizmash institucionalë, për të dhënë shërbime ndaj qytetarëve. Në këtë mënyrë garantojmë aksesin dixhital të qytetarit në shërbimet që ofron sot Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit.

Komisariati dixhital gjendet kudo, sigurisht në institucionet publike, universitete, qendra tregtare, kudo ku ka akses ose prezencë të shtuar të publikut për t’u dhënë qytetarëve një dritare për të komunikuar me institucionin, pa pasur nevojë detyrimisht të shpenzojë kohën e tij për të ardhur, për t’u paraqitur, për të aplikuar, për të pritur e kështu me radhë.

Eshtë 24 orë i hapur, të shtatë ditët e javës dhe pa asnjë kufizim për sa i përket komunikimit virtual.

Aksesi është i garantuar në mënyrë të sigurt sepse qytetari identifikohet me dokumentin e tij të identitetit, shenja e gishtit dhe pin-in personal, ndërkohë mund të kryejë pagesa për shërbimet që do marrë në këmbim të faturës për çdo pagesë.

Komisariati dixhital do japë, si shërbime administrative, gjë që sot e bën Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, leje, licenca, certifikime, autorizime dhe kështu me radhë, ashtu edhe shërbime policore që janë informacion, deklarim, kallëzim ose informim i qytetarit për çështjen të cilën mund ta ketë kallëzuar ose deklaruar në polici më parë dhe për të cilën mund të futet në komisariatin dixhital dhe nëpërmjet numrit unik të interesohet për fatin e cështjes së tij. Ktë gjë mund ta bëjë nga ky automat dhe nesër do e bëjë sigurisht edhe nga portali në vveb nga shtëpia e tij ose nga çdo pikë e ngritur për këtë qëllim.

Jemi të gjithë të njohur me radhët në pikat kufitare, shërbimin e ngadaltë, shpeshherë komomunikimin jo të standartizuar, pse jo dhe abuzim dhe korrupsion.

Nga njëra anë kjo cenon pritshmërinë e publikut ndaj shërbimit instucional në pikën e kufirit, duke dërrmuar besimin e qytetarëve, nga ana tjetër, lë gjithmonë një shteg hapur për abuzim të atyre punonjësve, të cilët nuk respektojnë rregullat. Por duke filluar nga viti tjetër, ne do të pilotojmë në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, E_Gate, që është hyrja ose kalimi  elektronik në pikën kufitare që është mekanizmi që kemi atje.

E_Gate është sistemi më modern sot për kalimin e qytetarëve në pikat kufitare duke garantuar nga njëra anë shërbim cilësor dhe nga ana tjetër siguri. Nën leximin elektronik të pasaportës dhe elementeve biometrikë, që gjendet në pasaportë dhe në të njëjtën kohë, bën fotografimin ‘live’ të shtetasit në momentin që gjendet në hyrjen e E_Gate. Dhe po në të njëjtën kohë akseson database-n e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit duke garantuar që të mos kalojnë nga ana tjetër shtetas të cilët mund të jenë në kërkim ose për të cilët ka informacione nga partnerët, pra flasim për kërkimin ndërkombëtar, ose informacione të tjera për të cilat kërkohet sqarim nga një operator policor që gjendet gjithmonë në pikën e kalimit kufitar.

E_Gate garanton shërbim cilësor, bën verifikimin e identitetit ‘live’, brenda një kohe rekord i ofron shërbimin qytetari, maksimumi është 20 sekonda dhe mënjanon në mënyrë totale dhe absolute qoftë abuzimin dhe qoftë mundësinë për korrupsion.

Këto janë vetëm dy nga projektet kryesore që ka Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Fondin dhe kompaninë ALEAT, të cilat po i zhvillojmë intensivisht dhe, nga janari i vitit që vjen, do të jenë në shërbim të qytetarëve. Shumë më shumë ka në vijim, për të garantuar shërbime cilësore për qytetarët nga njëra dhe siguri për qytetarët, sipërmarrësit dhe partnerët nga ana tjetër.

Ju faleminderit!